E ardhmja e Lionel Messit është vendosur. Në fakt, pas lamtumirës së tij me PSG-në, argjentinasi vendosi të refuzojë ofertën faraonike nga Arabia Saudite për të fluturuar drejt SHBA-ve dhe për të nisur aventurën e tij në MLS, me fanellën e Inter Miami.
Megjithatë, sipas asaj që raportohet nga “New York Times”, shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me vendin arab. Ai do të jetë në fakt imazhi i turizmit saudit dhe do të marrë rreth 22.5 milionë euro në këmbim, baraz me 25 milionë dollarë.
Në kontratën e shqyrtuar nga gazeta e njohur amerikane, detyrimet e “10” argjentinas nuk do të jenë të shumta. Për Messin do të mjaftojë të shkojë në mbretërinë saudite të paktën një herë në vit, të postojë diçka nga ky vend në rrjetet e tij sociale, t’i postojë ato me një hashtag të miratuar nga sauditët, dhe të pushojë në Arabinë Saudite me familjen e tij. Këto pushime do të jenë plotësisht të paguara nga qeveria e këtij vendi.
Kjo nuk është e gjitha, megjithatë. Brenda marrëveshjes ka edhe një pikë themelore, që lojtari duhet ta respektojë: atë të heshtjes. “Dokumenti përmban gjithashtu një kusht të rëndësishëm për zyrtarët sauditë: Messi nuk mund të thotë asgjë që do të ‘njolloste’ Arabinë Saudite, një vend që është përballur me kritika të gjera veçanërisht në lidhje me dështimin për të respektuar të drejtat e njeriut”, – thuhet në deklaratën e “New York Times”.
- Advertisement -
Është e paqartë nëse kontrata që po shqyrtohet nga “Times” është versioni aktual i marrëveshjes. Dokumenti, i datës 1 janar 2021, u nënshkrua nga Messi dhe vëllai i tij Rodrigo, i cili shërben si drejtor i tij tregtar, por nuk është nënshkruar nga zyrtarët sauditë.