Në intervistën e gjatë të dhënë për “As”, në të cilën zbuloi se Real Madridi pagoi mbi 103 milionë euro për të nënshkruar me Jude Bellingham, Hans-Joachim Watzke trajtoi edhe çështje të tjera në funksion të finales mes Borussia Dortmundit të tij dhe “Los Blancos”.
Në deklaratat e tij, përveçse kujtoi fitoren në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 1997 kundër Juventusit, iu referua edhe arritjes së Atalantës, e cila fitoi finalen e “Europa League” kundër Bayer Leverkusenit, duke i shkaktuar skuadrës së Xabi Alonso të vetmen humbje sezonale.
Këto janë deklaratat e tij: “A është Real Madridi favorit në finalen e Champions-it? Po, por le të shohim se çfarë ndodhi në Dublin. Nga 10 ndeshje kundër Atalantës, jam shumë i sigurt se Leverkuseni do të fitonte tetë.
Atalanta luajti sikur të ishte ndeshja e fundit në historinë e saj, kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe ne për të fituar. Është e vërtetë se Real Madridi nuk ka humbur kurrë një finale të Ligës së Kampionëve, por ka gjithmonë një herë të parë…”