UEFA ka shpallur zyrtarisht të gjithë të nominuarit për çmimin e trajnerit të vitit për sezonin 2022-2023. Fituesi do të shpallet më 31 gusht, gjatë hedhjes së shortit për fazën e grupeve të Champions League në Monaco.
Mes kandidatëve është Pep Guardiola i Manchester City, Simone Inzaghi i Interit dhe Luciano Spalletti për atë që bëri me Napolin, duke kthyer titullin kampion te blutë pas 33 vitesh. Po kështu, UEFA ka shpallur emrat e tre finalistëve për çmimin “Lojtari i Vitit”, referuar sezonit 2022-2023.
Tre finalistët, Kevin De Bruyne, Erling Haaland dhe Lionel Messi u zgjodhën me votim nga një juri e përbërë nga trajnerët e klubeve që morën pjesë në fazat e grupeve të Champions League 2022-2023, “Europa League” dhe “Conference League”, së bashku me trajnerët e ekipeve kombëtare të federatave të anëtarësuara në UEFA.
Në juri morën pjesë edhe një grup gazetarësh të përzgjedhur nga “European Sports Media” (ESM). Fituesi do të shpallet gjatë ceremonisë së shortit të fazës së grupeve të Champions League 2023-2024, e cila do të zhvillohet të enjten, më 31 gusht, në Monaco.