Fati i Juves nuk është shkuar ende, nuk është vendosur nëse “Zonja e Vjetër” do të jetë prezente në Evropë këtë sezon, kjo pasi fillimisht pritet vendimi që do të marrë UEFA, vendim që në rastin më të mirë pritet të vijë në mesin e muajit korrik. UEFA kërkoi nga FIGC dhe nga prokuroria e Torinos të gjithë dokumentacionet e nevojshme për hetimin që u krye në lidhje me shkeljet e rregullave të Fair Play financiar.
Sipas La Gazzetta dello Sport: Juventus pritet të dënohet me një vit jashtë Evrope, që do të thotë, Juve nuk do të luajë këtë sezon në Conference League. E përditshmja italiane shton gjithashtu se “Zonja e Vjetër” do të marrë dhe një super gjobë nga UEFA. Në fundin e vitit të shkuar, Juve kishte firmosur një marrëveshje me UEFA ku gjoba prej 23 milionë euro të reduktohej në 3 milionë euro, me kusht që Juve të përmbushte të gjithë detyrimet financiare, të ishte korrekt me rregullat e UEFA-s, diçka që me sa duket nuk është realizuar nga drejtuesit e bardhezinjve. Në çdo rast, çështja “Juve” pritet të përfundojë në CAS.