Jo vetëm Armando Broja, por edhe kapiteni kuqezi do të mungojë në dy sfidat e Ligës së Kombeve, të planifikuara për t’u zhvilluar gjsmën e parë të shtatorit. Lajmi i keq është dhënë nga FSHF-ja, e cila bën me dije se Berat Gjimshiti nuk ia ka dalë dot për të qenë në dispozicion të trajnerit Sylvinho prej dëmtimit që ka pësuar:
“Ka sërish një ndryshim në listën e kombëtares për dy ndeshjet e para në Grupin B1 të UEFA Nations League. Ju bëjmë me dije se kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për dy sfidat ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimi.
Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në seancën stërvitore gjatë një testi miqësor me ekipin U-21 dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve mjekësore. Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Kapiteni kuqezi do të rikthehet tek Atalanta për të nisur menjëherë rikuperimin.
Në këto kushte, trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin e kombëtares U-21, Adrian Bajramin, i cili do të bashkohet menjëherë me ekipin e parë. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet gjatë mbrëmjes së të martës”.