Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, ka siguruar një vend në finalen e Kampionatit Evropian për Seniorë, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, duke rritur shpresat për një tjetër medalje të artë për Kosovën.
Në gjysmëfinale të kategorisë deri në 52 kilogramë, Krasniqi shkëlqeu me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke e mposhtur me IPPON xhudisten spanjolle Ariane Toro Soler.
Më herët gjatë ditës, kampionia olimpike tregoi formë të lartë edhe në fazat paraprake të garës: në raundin e dytë eliminoi përfaqësuesen e Serbisë, Milica Nikolic, ndërsa në raundin e tretë triumfoi ndaj xhudistes holandeze, Naomi van Krevel.
- Advertisement -
Në finalen e madhe, Krasniqi do të përballet me xhudisten e njohur italiane, Odette Giuffrida, në një duel që pritet të jetë i nivelit të lartë dhe me interes të madh për publikun sportdashës.
Kosova mban shpresa të mëdha në Krasniqin, e cila ka dëshmuar vazhdimisht vlerat e saj në arenën ndërkombëtare dhe synon t’i shtojë koleksionit të saj edhe një medalje të artë evropiane.