Në një ndeshje tejet emocionuese të serisë finale të “play-off”-it në basketboll, Trepça arriti të fitojë kundër Pejës, me rezultat 94:86.
Ndeshja u zhvillua në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë dhe u shoqërua nga një atmosferë fantastike nga tifozët e Trepçës, që nuk pushuan së mbështeturi ekipin e tyre për asnjë moment.
Në pjesën e parë të ndeshjes, dy ekipet ishin shumë të barabarta, por pejanët shkuan në pushim me epërsi të një pike, me rezultatin 47:48. Megjithatë, Trepça nuk u dorëzua dhe arriti të përmbysë gjithçka në fund të ndeshjes, ndonëse Peja në disa periudha arriti të shkëputej në rezultat deri në nëntë pikë. Mirëpo, vendasit gjetën forcën për ta shënuar fitoren në ndeshjen e parë të serisë finale dhe ta shijojnë momentin me tifozët e tyre në tribuna.
Jamel Artis ishte lojtari më i dalluar te Trepça, me 27 pikë të shënuara, i ndjekur nga Ken Brown me 24 pikë dhe Will Daniels me 19 pikë. Ndërkaq te Peja, Larry Thomas shënoi 23 pikë, ndërsa Devoe Joseph shtoi 16 pikë.
- Advertisement -
Ndeshja e dytë do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe pritet të jetë një tjetër përballje e zjarrtë.