Bota e futbollit mban zi për ndarjen nga jeta të Sven Goran Eriksson në moshën 76-vjeçare. Ish-trajneri i Lazios, Sampdorias dhe Romës në Serie A, ndër klube të tjera, por edhe i kombëtares së Anglisë, kishte njoftuar në fillim të vitit se kishte kancer në pankreas:
“Në skenarin më të mirë më ka mbetur një vit ose edhe më shumë jetë. Në skenarin më të keq edhe më pak. Në realitet askush nuk mund të jetë i sigurt për këtë me siguri, as mjekët. Për mua është më mirë të mos mendoj për këtë”.
Pak ditë më parë, suedezi i njohur dha mesazhin e fundit, tepër prekës, për botën: “Kam pasur një jetë të mirë, po. Mendoj se të gjithë kemi frikë nga dita kur vdesim, por duhet të mësohemi ta pranojmë atë. Në fund të fundit ka rëndësi të kesh qenë njeri i mirë në këtë botë.
Jo të gjithë do ta thonë këtë për mua, por shpresoj të më kujtojnë si një njeri pozitiv. Mos kini keqardhje, buzëqeshni! Faleminderit për gjithçka: trajnerë, lojtarë, tifozë! Ishit fantastikë. Kujdesuni për veten, kujdesuni për jetën tuaj dhe jetojeni atë. Deri në fund”.