Primozh Gliha nuk do të jetë më trajner i Kosovës, ka konfirmuar Federata e Futbollit të Kosovës të mërkurën.
Me përfundimin e ciklit kualifikues për Evropianin e vitit 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha, ka njoftuar FFK-ja.
“FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvillura pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
FFK-ja ka filluar “analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”.
- Advertisement -
Gliha mori drejtimin e Kosovës në korrik. Arriti dy fitore, dy barazime dhe dy humbje.
Kosova e përfundoi ciklin kualifikues larg pritshmërive. Përfundoi e pesta në grup, vetëm mbi Andorrën.