Tottenham është duke kaluar një sezon për t’u harruar në Premier League, ku katër javë para fundit të kampionatit, ka regjistruar plot 19 humbje – një bilanc që i përjashton praktikisht nga gara për zonën e Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, në skenën evropiane panorama është krejt tjetër. “Spurs” janë vetëm dy fitore larg trofeut të Europa League dhe rikthimit në elitën e futbollit evropian përmes kësaj rruge. Përveç suksesit në rezultate, skuadra e udhëhequr nga Ange Postecoglou ka vendosur një rekord mbresëlënës.
Fitorja 3-1 ndaj norvegjezëve të Bodo/Glimt shënoi ndeshjen e 20-të radhazi pa humbje në shtëpi për Tottenham në garat evropiane. Me 55 gola të shënuar dhe vetëm 13 të pësuar në këtë seri, ky është rekordi më i gjatë i paprekshmërisë në shtëpi për një klub anglez në Evropë gjatë këtij sezoni.
Kjo formë e fuqishme në arenën ndërkombëtare është kthyer në një shpëtim për sezonin e “Spurs”, të cilët synojnë ta mbyllin me një trofe dhe një biletë të sigurt për Champions League.