Thomas Strakosha është gati për një aventurë të re në karrierën e tij. Portieri shqiptar zhvilloi paraqitje të mira në Kampionatin Europian me Kombëtaren shqiptare, çka u bë shkak që shumë klube me emër në Europë të interesoheshin të blinin shërbimet e tij.
Në fakt ka ditë që Strakosha lakohet se mund të transferohej në Seria A, por së fundmi e ardhmja e tij ka marrë një kthesë prej 180 gradësh.
28-vjeçari pritet të transferohet në Greqi te skuadra e AEK-ut. Klubi grek i ka bërë ofertën Brentfordit, skuadër e cila ka nën zotërim kartonin e shqiptarit, dhe ky i fundit i ka dhënë “ok”-in. Brenda pak ditësh pritet zyrtarizimi.
Kjo mund t’i shërbejë shumë Strakoshës në aspektin personal, sepse mund të fitojë vendin e titullarit dhe të marrë minuta, ndryshe nga aventura e fundit që e pa atë të qëndronte për pjesën më të madhe të kohës në stol si portier i dytë.