Sylvinho foli gjatë dhe preku shumë tema në konferencën për shtypin përpara sfidës shtëpiake ndaj Moldavisë. Kuqezinjtë e kombëtares zbresin në fushë në “Air Albania” në sfidën e dytë të grupit E të eliminatoreve të Euro 2024.
Debutim në Shqipëri për trajnerin brazilian, i cili u ndal te gjendja e ekipit kombëtares, kundërshtarët dhe individë të veçantë. Shqipëri-Moldavi nis prej orës 20:45 të së shtunës.
“Grumbullimi për Poloninë ka qenë i gjatë. Edhe ky grumbullim ka pasur vështirësitë e veta, nuk i kemi pasur gjithë lojtarët gjatë gjithë kohës. Por kemi bërë një punë të mirë. Është puna jonë të menaxhojmë situatat dhe lojtarët në fushën e lojës. Tani i njohim më mirë lojtarët. Jam i kënaqur nga impenjimi i tyre në fushën e lojës. Tani është puna jonë për të bërë menaxhimin e duhur për të marrë rezultat pozitiv.
Jemi mësuar me presionin. Kemi përpara 7 finale, nesër luajmë të parën. Të gjithë jemi shumë të karikuar, luajmë në shtëpi dhe do të ketë shumë tifozë në stadium. Ekipi është në gjendje të mirë, por do të vendos në fund për formacionin. E rëndësishme është që ekipi të ketë ekuilibër në fushë, në të dy fazat. Kemi një grup shumë të mirë, që do të luajë fort dhe do të japë zemrën në fushë.
- Advertisement -
Niveli i përqendrimit është shumë i lartë në këto momente. Për mua janë të gjithë rivalët njësoj, nuk ka ekipe të vogla. Kemi 7 finale. Jam i bindur se ekipi im do të bëjë një lojë të mirë. Dhe do të luajë fort ndaj Moldavisë, që ka dy barazime dhe ka lojtarë shumë të mirë. Shqipëria ime është gati të bëjë një lojë të mirë dhe të marrë maksimumin në këtë sfidë.
Formacioni? Jam i bindur për lojtarët që do të hedh nesër në fushë… Sadiku? Ai është një lojtar simbol, me shumë eksperiencë. Ai është i aftë përpara portës, shënon gola. Jep maksimumin dhe është një nga ata lojtarë që shqetëson rivalët nëse është në fushë. Kam folur me të, e kam ndjekur dhe vendosa ta grumbulloj. Nëse do të më duhet për 20 apo 30 minuta, jam i bindur se do të futet në fushë dhe mund të shënojë gol.
Lojtarët që munguan me Poloninë, duhet të mësohen me mënyrën tonë të punës. Të fiksojnë konceptet që kemi. Ata që ishin në Poloni e kanë më të thjeshtë, pak a shumë janë në dijeni të mënyrë si e përgatitim ndeshjen. Për fat të mirë rikthehen Ismajli dhe Gjimshiti. Dua të flas edhe për Muçin, lojtar i talentuar që lëviz shumë mirë mes linjave.
Nuk do të shikoni nesër ekipin e Sylvinhos, do të shikoni ekipin kombëtar të Shqipërisë që luan me 100 km/h… Jam i bindur se djemtë do të japin maksimumin, do të japin zemrën në fushë. Në një stadium të tejmbushur. Të gjithë lojtarët e dinë rëndësinë e ndeshjes ndaj Moldavisë. Nuk ka kohë për të humbur në këto kompeticione.
Objektivi ynë është kualifikimi në Euro 2024. Lojtarët e dinë mirë rëndësinë e sfidës ndaj Moldavisë. Kam biseduar me ta. Jam i kënaqur me formën e skuadrës. Nesër do të marrim vendim për portierin titullar. Ata janë në të njëjtin nivel. Kemi punuar mirë, jam i bindur se ekipi është gati fizikisht për ndeshjen e nesërme.
- Advertisement -
Moldavia? Skuadër e re, që rreshtohet mirë në fushë. Ata janë të organizuar. Kanë disa lojtarë të mirë, luajnë futboll të shpejtë dhe futboll fizik. Kanë lojtarë anësorë që shtyjnë përpara. Janë të fortë fizikisht. Ndeshje e vështirë për ne, por kjo është pjesa që më pëlqen më shumë. Pas dy muajsh punë dhe studim, ne kemi shansin të zbresim në fushë dhe të marrim maksimumin.
Gjendja e fushës? Nesër do të zbresim në fushë përballë 20 mijë tifozëve, të cilët do të na karikojnë dhe ndihmojnë. Fusha nuk ishte në gjendje të keqe, nesër do të jetë më mirë. Por nuk dua justifikime, të zbresim në fushë dhe të japim më të mirën tonë”, përfundoi trajneri i kombëtares kuqezi.