Kualifikimi i Shqipërisë në finalet e “Euro 2024” e ka kthyer trajnerin Sylvinho në “gjahun” e preferuar të mediave, jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja. Natyrisht, braziliani ndihet i mikluar duke qenë kështu në qendër të vënmendjes, por përherë e ka ndarë suksesin me djemtë kuqezinj, stafin e tij të zgjeruar, hierarkinë drejtuese të FSHF-së.
Kësaj here ka qenë i ftuar i mikrofonit të portalit italian “Cronache di spogliatoio”. Aty ka bërë rrëfimin e radhës, duke shkuar jo pak larg me ambiciet që ka në stolin e Shqipërisë: Të kualifikohemi në finalet e Botërorit 2026:
“Në vërshëllimin e fundit të gjyqtarit kundër Moldavisë, shpërtheva. Kam nxjerrë jashtë gjithë ankthin dhe gëzimin e 10 muajve punë. Kam vrapuar për të festuar me njerëzit kualifikimin për në Europian.
Kur kisha dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë? E dija ekzistencën e Shqipërisë vetëm përmes Rei Manajt, të cilin e kam trajnuar tek Interi. Nuk dija asgjë më shumë. Më pas kam mbërritur në këtë vend dhe kam parë që të gjithë njerëzit flasin italisht, e njohin, flasin anglisht, spanjisht. Është e rëndësishme që një trajner të flasë pa përkthyes.
- Advertisement -
Shqiptarët janë njerëz të ngrohtë dhe mikpritës, si ne brazilianët. Më kanë bërë që të ndihem si në shtëpi. Që në fillim, kur kam ardhur, më kanë ofruar kafe dhe darka kudo.
Kombëtarja shqiptare ndiqet nag shumë tifozë të zjarrtë, edhe në transfertë na bëjnë të ndjehemi sikur luajmë në shtëpi. Kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme në Pragë, kundër Republikës Çeke. Më dukej sikur luanim në shtëpi, stadium ishte plot me shqiptarë.
Urimi më i mirë që ka marrë pas suksesit me Shqipërinë? Pas kualifikimit në finalet e Europianit të Gjermanisë më ka shkruar Roberto Mançini, më ka dërguar komplimentet e tij. Ai më ka trajnuar, më pas kam qenë ndihmës i tij tek Interi. Është një trajner fitues, e ka dëshmuar tek Interi, Manchester City dhe kombëtarja italiane. Kudo që ka drejtuar e ka çuar skuadrën në një nivel shumë të lartë”.
Po tani, pas kualifikimit në finalet e “Euro 2024”, çfarë vjen? Çfarë surprizash të tjera premton Sylvinho në stolin e “shqiponjave”? Oreksi vjen duke ngrënë, kjo vlen edhe në futboll: “Shqipërisë nuk duhet t’i mjaftojë kualifikimi në Europian. Nuk duhet të shkojë në Europian dhe pastaj të zhduket.
Dua të krijoj një mentalitet të tillë që të kualifikohet në çdo Europian dhe Botëror. Ky është objektivi im pas, Europianit: Dua ta dërgoj Shqipërinë për herë të parë në Botërorin e 2026. Kjo që kemi bërë duhet të jetë vetëm fillimi”.
- Advertisement -
Në fund, disa fjalë vlerësuese për kapitenin Berat Gjimshiti: “Për të ka qenë e vështirë të mos shkonte në finalet e ‘Euro 2026’. Sidoqoftë, futbolli të jep gjithmonë një shans të dytë. Në fakt jo vetëm futbolli, vetë jeta të jep një shans të dytë.
Ai është shumë i qetë. Arsyeja pse e bëmë atë kapiten është edhe fakti se skuadra ka nevojë për qetësi në fushë. Kam parë pak historinë e tre, katër, pesë viteve të fundit dhe ndonjëherë futbollistët e humbin pak përqendrimin, por futbolli nuk të fal.
Nuk është e lehtë, por vazhdueshmëria, qetësia është shumë e rëndësishme. Ai, përveç faktit se është një futbollist i madh, është nga ata që e ruan shumë qetësinë. Luan në një skuadër ku ka lojtarë të mëdhenj, ekspertë. Ai është gjithnjë i qetë dhe këtë ia transmeton skuadrës”.