Suhareka e ka shkarkuar Granit Begolli nga posti i trajnerit. Kjo, sipas një komunikate të klubit, për shkak të sjelljes jokorrekte nga ana e trajnerit në ndeshjen FC Suhareka – FC Trepça 89.
Megjithatë klubi ka vendosur që Begollin ta angazhojë në klub sërish po me një pozicion tjetër.
“Bordi i FC “Suhareka” nën drejtimin e kryetarit z. Rrustem Aliaj, pas përfundimit të ndeshjes FC “Suhareka” – FC “Rilindja 1974” në mbledhjen e vet të jashtëzakonshme të mbajtur më 09.10.2023, ka analizuar gjendjen dhe objektivat e klubit gjatë kësaj periudhe. Në mbledhje në hollësi u analizua ecuria e rezultateve të klubit dhe sjelljet e klubit, të shtabit teknik, futbollistëve si dhe stafit tjetër në klub, ndaj konstatoi se ecuria e rezultateve nuk është e rendimentit çfarë klubi ka synuar në fillim të kampionatit ku kemi një ngecje prej 6 pikëve kundrejt liderit të grupit. Për klubin sa ka qenë brengosese rezultatet jo të kënaqshme, ka qenë shqetësuese edhe sjellja aspak sportive e kryetrajnerit Granit Begolli në ndeshjen FC ”Suhareka” – FC “Trepça 89”, sjellje të cilat nuk përkojnë me synimet dhe kërkesat e klubit për sjellje korrekte ndaj skuadrave rivale, ndaj zyrtarëve të ndeshjes përkatësisht gjyqtarëve të ndeshjes dhe në këtë drejtim z. Begolli jo vetëm që është dënuar nga organet e FFK-së por me këto sjellje gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes e ka dëmtuar imazhin e klubit që prej fillimit ka promovuar tolerancë e mirëkuptim ndaj të gjithë akterëve të lojës. Së këndejmi Bordi ka vendosur që për ta ruajtur imazhin e klubit dhe me qëllim të mbrojtjes së interesave të klubit ka vendosur që të shkëpusë bashkëpunimin me z. Granit Begollin në cilësinë e kryetrajnerit”, ka njoftuar skuadra e Suharekës. “Bordi duke falënderuar për punë e deritashme z. Begolli në vazhdim do t’i ofrojë një pozitë tjetër në klub”.
Suhareka është pjesë e Ligës së parë.