Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në Bukuresht do të përballet me Rumaninë, në kuadër të Ligës se Kombeve.
Rumunët dhe Dardanët do të ballafaqohen në sfidën vendimtare në garën për vendin e parë në grup.
Në Grupin C2 të Ligës së Kombeve, Rumania kryeson me 12 pikë, ndërsa Kosova e ndjek me 9 pikë. Për të fituar grupin dhe për të avancuar në Ligën B, Kosovës i nevojitet një fitore më e thellë se 3:0 kundër rumunëve.
Kombëtarja e Kosovës mbrëmë ka zhvilluar stërvitjen e fundit para duelit me rumunët.
- Advertisement -
Atmosfera në skuadrën tonë është mjaft e mirë dhe premtuese për paraqitje të mirë të skuadrës dardane.
Trajneri i Kosovës Franco Foda, në konferencën e fundit para ndeshjes me Rumaninë tha se Kosova në Rumani ka ardhur për fitore.
“Përkundër faktit që kemi pësuar humbje 3:0 në Prishtinë, besoj se me paraqitjen që kemi treguar kemi qenë të përafërt, por kemi pësuar gola të lehtë dhe kjo ka ndikuar në atë rezultat. Sa i përket paraqitjes nuk them se kemi pasur shumë dallim nga kundërshtari. Pastaj, i kemi fituar nëntë pikë ndaj Qipros dhe Lituanisë dhe kjo ka rritur besimin e ekipit. Kemi treguar se kemi bërë një hap përpara. Kemi shumë mungesa të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Besoj se ekipi është më lart se sa ka qenë në shtator dhe besoj e është i gatshëm ta tregojë gjithë potencialin në kërkim të fitores. Është e qartë se ne jemi këtu për të tentuar fitoren. Duhet të jemi agresiv, ta fitojmë topin sa më shpejt. Do të kemi 90 minuta kohë për ta fituar ndeshjen. Gjithçka është në duart tona. Nëse duam vendin e parë, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda.