Real Madrid dhe Barcelona do të ndeshen sonte në kuadër të Kupës së Mbretit.
Dy rivalët e përbetuar do të përballen në “Santiago Bernabeu”, ku katalanasit do të paraqiten pa treshen Pedri, Ousmane Dembele dhe Robert Lewandowski, të cilët janë të lënduar.
Në La Liga Barcelona ka një epërsi prej shtatë pikësh ndaj Real Madridit, por në ndeshjet e fundit ka pësuar dy humbje.
Dueli i sontem pritet të sjellë një ndeshje të fortë ashtu siç ndodh gjithnjë në duelet mes madrilenëve dhe katalonasve për shkak të rivalitetit të madh që ekziston mes dy skuadrave më të mëdha në tokën spanjolle.
- Advertisement -
Trajneri i ‘Los Blancos’, Carlo Ancelotti është shprehur i lumtur se skuadra e tij është ende në garë në të gjitha frontet, ani pse Barcelona është ende larg në ligë. Strategu italian është optimist se skuadra e tij mund të fitojë të gjithë trofetë.
“Deri më tani kemi dy pikë më pak në ligë se vitin e kaluar, por nuk kishim arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit dhe kishim humbur ndeshjen e parë të raundit të 1/16 të Ligës së Kampionëve. Jemi aty ku e meritojmë dhe tani vjen pjesa më e bukur, momenti më i rëndësishëm i sezonit. Mendoj se mund të fitojmë ende, por unë nuk jam magjistar”, ka thënë Ancelotti.
Real Madridi është favorit në këtë sfidë sipas trajnerit të Barcelonës, Xavi Hernandez.
“Është një Real Madrid i fortë, një skuadër që ka fituar trofe kohët e fundit, ndërsa ne jemi një ekip në proces të ndërtimit. Real Madridi po synon trofe në Evropë, mposhti Liverpoolin në terren të vet, ata janë favoritë, të jem i sinqertë”, ka theksuar Xavi.
Supersfida mes Real Madridit dhe Barcelonës fillon në orën 21:00.