Fitorja 2-0 në “Zug 94”, në fillim të sezonit të ri të Kupës së Zvicrës, është pothuajse diçka anësore për FC Zurich. Gjithçka e tillë pritej. Ndeshja duhej të ndërpritej për disa minuta pak para përfundimit të saj. Siç konfirmoi klubi helvet, babai i Labinot Bajramit (19 vjeç), lojtar shqiptar i FCZ, rezultoi autor i një veprimi të pahijshëm.
Ndërprerja e ndeshjes erdhi pasi Bajrami u zëvendësua nga trajneri Moniz vetëm 19 minuta në fushë. Pra, edhe pse kishte hyrë në lojë si zëvendësues në minutën e 62-të, kur rezultati ishte 2-0, shqiptari u zëvendësua sërish. Në futboll, një veprim i tillë konsiderohet gjërësisht turpërim për atë që e pëson në kurriz.
Siç raportuan shikuesit për “Nau.ch” dhe u konfirmua nga FCZ, pak para zëvendësimit ndodhi skena e mëposhtme: Bajrami pranoi udhëzimet e trajnerit të tij për të ushtruar presing lart, me qëllim për ta mbajtur kundërshtarin në gjyësmëfushën e vet.
Trajneri Moniz besoi se këshillat e tij nuk u realizuan nga shqiptari, ndaj e nxori jashtë fushës, e zëvendësoi. Ky moment i ndezi gjakrat skajshmërisht. Babai i Bajramit, në shkallët e stadiumit, e humbi toruan, nisi ta shante trajnerin e të birit dhe më pas hodhi çadrën drejt tij. Sendi i mprehtë kaloi pak centimetra larg trajnerit të FCZ, mund ta kishte lënduar atë.
- Advertisement -
“Më duhej të ndërhyja menjëherë, sepse ndihmësit më sinjalizuan se duhej të mbroja trajnerin”, – tha arbitri kryesor për “Blick” pas ndeshjes.
As futbollisti protagonist, Bajrami, dhe as presidenti i FCZ, Canepa, nuk deshën të flisnin për këtë incident pas përfundimit të ndeshjes, por trajneri Moniz nuk e përmbajti veten: “Metoda me të cilën do të vazhdoj këtu është puna ime. Unë kurrë nuk e kam përjetuar diçka të tillë në karrierën time.
Ky është një kapitull i zi. Tani duhet të mendoj me familjen time se çfarë do të ndodhë më pas në Cyrih. Nuk mund të vazhdoj nëse siguria ime është në rrezik. Objekti i mprehtë më kaloi pranë disa centimetra”.