Sigal Prishtina ka arritur të sigurojë një vend në finalen e Ligës Unike, ku do të përballet me Vëllaznimin, pas fitores 81:67 ndaj Besëlidhjes së Lezhës.
Ndeshja u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, i cili është nikoqir i turneut “Final 4” të Ligës Unike.
Jordan Davis ishte lojtari kyç për Sigal Prishtinën, duke kontribuar me 19 pikë, 6 kërcime dhe 5 asistime. Nga ana tjetër, Besëlidhja e Lezhës u mbështet te Marcellus Garrick, i cili realizoi 24 pikë dhe kishte 4 kërcime, por nuk arriti ta çojë skuadrën e tij në finale.
Finalja mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit do të zhvillohet të enjten në orën 20:00, ndërsa ndeshja për vendin e tretë mes Besëlidhjes dhe Golden Eagle Yllit do të luhet po atë ditë, në orën 17:00.
- Advertisement -
Më herët, Vëllaznimi siguroi vendin në finale pas një fitoreje dramatike ndaj Golden Eagle Yllit.