Kombëtarja kuqezi reagon pas humbjes në Wembley, fitore bindëse 3-0 ndaj Andorrës
Pas disfatës ndaj Anglisë në Wembley, Shqipëria është rikthyer fuqishëm në fushë, duke mposhtur Andorrën me rezultatin e pastër 3-0 dhe duke marrë fitoren e parë në fushatën kualifikuese për Botërorin.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me vrull dhe që në minutat e para u duk qartë dëshira për të dominuar. Vetëm në minutën e 9-të, pas një goditje dënimi nga krahu i djathtë, Kristjan Asllani kroson saktësisht dhe Rey Manaj godet me kokë për të kaluar Shqipërinë në avantazh.
Vetëm 11 minuta më vonë, një aksion i bukur nga Broja nga e djathta, i cili shmang mbrojtësin dhe portierin me një finte, përfundon me pasimin për Manaj që e shtyn topin në rrjetë për të dytën herë. Me këtë dopietë, sulmuesi lushnjar arrin në kuotën e 10 golave me fanellën kuqezi, duke barazuar legjendat Sokol Kushta dhe Igli Tare.
- Advertisement -
Shqipëria kontrollon plotësisht lojën gjatë pjesës së parë, me Asllanin që tenton nga distanca, por pa sukses. 45-minutëshi i parë mbyllet me rezultatin 2-0.
Në pjesën e dytë, ritmi i ndeshjes mbetet i njëjtë. Kombëtarja jonë mban kontrollin e topit dhe nuk lejon Andorrën të rrezikojë. Manaj ishte pranë një triplete personale, por nuk pati fat. Ndërkohë, në lojë u fut edhe Myrto Uzuni, i cili në fund vulosi shifrat në 3-0, pas një aksioni të shpejtë.
Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë të Grupit K pas dy ndeshjeve të para. Ndeshja e radhës do të jetë ajo shumë e pritur ndaj Serbisë në qershor.