Mirlind Daku e priti mes lotësh grumbullimin e tij nga trajneri Sylvinho, për të përfaqësuar fanellën kuq e zi, në finalet e Euro 2024. Një grumbullim që vjen plotësisht i merituar, pas një sezoni fantastik që Daku bëri në kampionatin rus, me fanellën e Rubin Kazan. Sulmuesi nga Gjilani shënoi 10 gola dhe dhuroi 4 asiste.
Sikundër bënë me dije edhe faqja zyrtare e Premier Ligës në Rusi, Mirlind Daku është pjesë e formacionit më të mirë të sezonit që u mbyll. Një sukses i jashtëzakonshëm për Dakun, një motiv krenarie dhe mbi të gjitha një shtysë e madhe për të, për të dhënë maksimumin e tij, sa herë do të kërkohet që të zbresë në fushën e lojës nga tekniku Sylvinho.
Sulmuesi dardan numëron 5 ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë, teksa ka shënuar dhe një gol në eliminatoret e Euro 2024, atë në suksesin 2-0 ndaj Polonisë në “Air Albania”.