Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Al-Nasr për t`u rikthyer në Evropë pasi nuk arriti të përshtatet me jetën në Arabinë Saudite, pretendon gazeta spanjolle “El Mundo Deportivo”.
Portugezi pasi ndërpreu kontratën me Manchester United në nëntor të vitit të kaluar befasoi botën e futbollit kur nënshkroi një marrëveshje super të vlefshme dyvjeçare me klubin saudit, Al-Nasr.
Edhe pse shuma prej 100 milionë eurosh në sezon e bën atë futbollistin më të paguar në botë, sipas “El Mundo Deportivo” ai nuk u mësua asnjëherë me jetën në Lindjen e Mesme. Atij nuk i kanë bërë përshtypje kushtet e futbollit, por edhe fakti që në Arabinë Saudite kishte një ndjenjë të “largimit nga shoqëritë moderne”.
Ronaldo ka 13 gola në 17 paraqitje për Al-Nasr, por klubi i tij ka humbur vendin e parë në tabelë që nga ardhja e tij dhe është 3 pikë prapa Al-Hilal.
- Advertisement -
Nëse ai vendos të largohet nga klubi, Ronaldo do të duhet të paguajë një shumë të madhe parash si dënim për prishjen e kontratës me Al-Nasr dhe gjithashtu mund të marrë një pezullim katër mujor.