Friulian kufitar, me origjinë sllovene, Edy Reja është një njeri i botës, jo vetëm ish-trajner i kombëtares së Shqipërisë. Ai e mbylli karrierën e tij me kuqezinjtë duke u përballur me Italinë e Mancinit në një miqësore, e cila kishte mbetur jashtë Kupës së Botës në Katar (nëntor 2022).
Të premten në Tiranë ai do të hipë në çarterin e organizuar nga presidenti Armand Duka dhe të shtunën do të ketë një vend në tribunat e autoriteteve në “Westfalenstadion”. Një vit më parë përqafoi Spallettin në Udine, në ditën e titullit të Napolit, ndërsa braziliani Sylvinho e zëvendësoi në stolin e “shqiponjave”.
“Ai është i mirë, bëri një punë të shkëlqyer dhe arriti suksesin, duke merituar kualifikimin në finalet e Europianit përpara kombëtareve të nivelit të lartë si Republika Çeke dhe Polonia. Sylvinho gjeti themelet mbi të cilat mund të ndërtonte një grup që në masë të madhe ende më përket mua. Të gjithë janë lojtarët e mi, përveç Hoxhës, anësorit të Dinamo Zagrebit: Ramadani, Asllani, Djimsiti, Mitaj.
Bajramin e binda të vinte të luante me Shqipërinë. Broja ishte i ri, Manaj është një tjetër lojtar i imi. Edhe stafi im bëri një punë të mirë, jam i lumtur për Dukën, një menaxher i madh, i cili prej disa vitesh është anëtar i Ekzekutivit të UEFA-s. Një marrëdhënie e dashur na lidh. Ai më donte në Dortmund, nuk mund ta humbas si mundësi”, – nënvizoi Edy Reja për “Corriere dello Sport”.
- Advertisement -
Më tej, pyetja provokuese: A do ta mbështesësh Shqipërinë? Trajneri veteran përgjigjet: “Unë jam italian, i kam axurrët në zemër, por kam dashuri e simpati edhe për shqiptarët. Do të doja që ata të bënin përshtypje të mira. Unë do të mbështes Italinë.
E njoh Spallettin, e kam konsideruar gjithmonë një trajner të nivelit të lartë. Kemi miqësi. Më pëlqente shumë ta shihja Napolin e tij. Ai duhet të punojë shumë me Italinë dhe të rrisë disa lojtarë të rinj. Të tjerë si Di Lorenzo, Cristante dhe Dimarco tashmë kanë një vlerë të caktuar”.
Edy Reja tregon edhe çfarë duhet të presim nga përballja e 15 qershorit në Dortmund, mes Italisë dhe kuqezinjve, sipas tij: “Shqipëria nuk duhet nënvlerësuar, është rritur shumë në krahasim me vitin 2016. Është një ekip i fortë nga pikëpamja karakteristike. Do të jetë e vështirë ta mposhtim kombëtaren shqiptare.
Spalletti duhet ta kontrollojë Bajramin mes rreshtave, nuk e di nëse do ta nisë me Cristante apo Jorginho. Kombëtarja shqiptare mbrohet me tetë lojtarë, lejon pak hapësira dhe rinis mjaft mirë. Anësorët Asani, Hoxha apo Seferi, do të jenë në mbështetjes së Brojës. Të gjithë janë sulmues shumë të shpejtë.
Të tjerët, si Hysaj dhe Ismajli, kanë shumë vite që luajnë në Serie A. Ata e dinë filozofinë tonë, mënyrën tonë të lojës. Duhet të kemi kujdes. Me Spanjën dhe Kroacinë është një grup i komplikuar edhe për Italinë, por Shqipëria ka disa shanse dhe kjo tashmë është një ndeshje vendimtare”.
- Advertisement -
Për Edy Reja do të jetë edhe një sfidë mes tifozërive, teksa ajo shqiptare është mjaft e zjarrtë: “Të paktën 15-20 mijë shqiptarë do të mbërrijnë në stadiumin e Dortmundit nga e gjithë Europa, jo vetëm nga Gjermania. Entuziazmi i tyre është i papërmbajtur, një ndeshje shumë e përzemërt. Ata ndjehen si një degë e Italisë, kanë pasur gjithmonë mirënjohje të thellë ndaj nesh. Tani edhe marrëdhëniet diplomatike mes dy qeverive janë rritur”.
Reja nënvizon rrezikun kryesor që i vjen Italisë nga kuqezinjtë: “Kundërsulmi. Po t’u japësh hapësirë shqiptarëve do të të ndëshkojnë. Broja duket se ka ardhur me mendjen e duhur, është pa praktikë loje me klubin, por mbetet i fortë. Ai dhe Manaj mund të bëjnë diferencën në shpejtësi. Kanë temperament, karakter, nuk dorëzohen. Tashmë është një ndeshje vendimtare.
Sylvinho shtoi kreativitetin dhe teknikën, fola shumë me të kur mbërriti. Pastaj filloi punën e tij. Le të themi se unë gjeta hirin dhe ai gjeti tryezën e shtruar. Ka ndodhur edhe me Napolin, Lazion dhe Atalantën kur u largova. Fati im, por jam i kënaqur me karrierën time dhe nuk ankohem për të”.