Në Madrid ka një çështje “Vinicius”! Ajo që të hënën dukej si një thashethem vere (edhe pse jashtëzakonisht e habitshme për shkak të natyrës spektakolare të shifrave), ka nisur të marrë formë me kalimin e orëve.
Sipas gazetës spanjolle “Marca”, Al-Ahli i është drejtuar Real Madridit për të pyetur për një transferim të mundshëm të futbollistit brazilian në Lindjen e Mesme. Përgjigja e klubit të bardhë ka qenë e qartë dhe e drejtpërdrejtë: klauzola e largimit të tij është 1 miliard euro. Praktikisht, Reali u ka bërë me dije çmimin që sauditëve u duhet të paguajnë për të pasur në shërbim të tyre yllin 24-vjeçar. Burime pranë klubit të bardhë nuk e shohin të mundshme që klubi saudit të arrijë këtë shifër, e cila do të ishte deri tani më e madhja e shpenzuar për një transferim lojtarësh në historinë e sportit botëror. Në çdo rast, Al-Ahli do t’i kishte ofruar tashmë Madridit një shumë për Vinin më të lartë se vlerësimi teorik i tregut, që është rreth 200 milionë euro dhe pritet që në ditët në vijim të paraqesë një propozim zyrtar subjektit të kryesuar nga Florentino Perez.
KONTRATA MË E MADHE Ajo që dihet është rroga që Vinicius do të arkëtonte në Arabinë Saudite për një kontratë pesëvjeçare: 200 milionë euro në vit ose 1 miliard në 5 vjet. Një shifër që sigurisht meriton të merret në konsideratë nga sulmuesi brazilian, pasi do ta vendoste atë në moshën 24- vjeçare si futbollistin më të paguar të të gjitha kohërave. Në Madrid, paga vjetore e Vinit është rreth 20 milionë euro bruto në sezon. Në çdo rast, çështja është vetëm në fazat e para të një operacioni që pritet të jetë intensiv në të ardhmen e afërt. Vinicius dhe rrethi i tij po trajtojnë zyrtarisht vetëm prezantimin e një “projekti brutal”, sipas burimeve pranë futbollistit. Një propozim gjigant nga pikëpamja ekonomike, që “duhet menduar mirë”, sipas të njëjtëve bashkëbisedues.
NEGOCIATA TË REJA Në ditët në vijim duhet të ketë kontakte të reja mes AlAhlit dhe Realit të Madridit, me atë që pritet të jetë një propozim i përmirësuar nga klubi arab. Për momentin dihet se Reali do të fitonte 400 milionë euro nga shitja e Viniciusit. Por Madridi kërkon ta çojë lojën deri në fund sipas rregullave të tij. Dhe i ka kërkuar sauditëve po aq para sa do të fitojë Vinicius në 5 vjet, pra 1 miliard euro, që korrespondon me klauzolën e largimit të tij. Kështu që sauditët duhet të mendohen më shumë se një herë për këtë nismë përtej çdo limiti të arriture deri më sot, që do t’i kushtonte 2 miliard euro!