Real Madrid ka fituar Champions League për herë të 15-të në histori, pas triumfit 0-2 në “Wembley” ndaj Dortmund. Pas çerek ore lojë, ishin madrilenët që provuan me anë të Vinicius, goditja e sulmuesit brazilian nuk pati shënjestrën e duhur. Në minutën e 21-të, verdhezinjtë iu afruan ndjeshëm golit, Adeyemi kishte shansin e artë të realizonte, por gaboi para portierit, edhe pse dribloi Courtois-n. 2 minuta më pas, Fullkrug u ndal vetëm nga shtylla. Të besuarit e Ancelottit e patën të vështirë të dilnin përpara, teksa hasën në murin verdhezi.
Pjesa e dytë filloi “zjarr” për Realin, Kroos vendosi në provë portierin Kobel me një goditje dënimi, e menjëhershme përgjigjja e “gardianit”. Për të ardhur te goli, gjithçka nis nga një goditje këndi, Carvajal u hodh mbi të gjithë, për të dërguar topin në rrjetë. Pas shënimit të golit, spanjollët morën zemër dhe ngulmuan edhe për të dytin.
Goli i sigurisë mban firmën e Vincius në të 83-tën. Menjëherë pas vërshëllimës finale të arbitrit slloven Vincic, “shpërtheu” festa në stadium por jo vetëm, Real Madrid ngjitet kështu në majën e Europës. Gëzim i madh për Kroos, natë magjike për të, në ndeshjen e fundit me fanellën e Los Blancos. Real Madrid kompleton kështu një sezon pothuajse perfekt, pasi ka fituar edhe kampionatin.
- Advertisement -
Në krahun tjetër, Dortmund meriton duartriktje për atë që dha këtë edicion, e natyrisht duhet të provojë përsëri.