Carlo Ancelotti, trajneri italian i Real Madridit, shprehu lumturinë e tij pas fitores së Kupës Ndërkontinentale, duke arritur titullin e tij të 15-të me klubin. Me këtë sukses, ai u bë trajneri më i dekoruar në historinë e Real Madridit.
“Kam fituar shumë tituj, jam mjaft i lumtur. Edhe ky është një sukses”, – deklaroi ai pas ndeshjes, duke ndarë më shumë mendime për përballjen në Doha, të fituar 3-0 ndaj Pachuca.
Analiza e finales – “Fillimi i ndeshjes ishte pak i vështirë, por gradualisht e morëm kontrollin. Natyrisht, kishte diferenca në cilësi, por duhej të tregonim qëndrimin e duhur. Pak nga pak hymë në lojë. Në fund më pëlqeu performanca jonë, sulmi bëri diferencën”.
Vlerësimi për sulmin – “Në nivel ofensiv luajtëm mirë. Kylian bëri një ndeshje të mirë, ndërsa Rodrygo shënoi golin e dytë. Jemi shumë të lumtur, sepse një ndeshje si kjo në mes të sezonit nuk është e lehtë. Megjithatë, ia dolëm mbanë mirë”.
- Advertisement -
Cili është titulli më i veçantë për të, mes 15 të fituarve si trajner i Real Madridit: “Jo, nuk mund ta them. Është e vështirë të zgjedh për këtë, por ‘La Décima’ ishte speciale për mua dhe Real Madridin. Po ashtu edhe fitorja e Champions League në Paris. Nëse duhet të zgjedh, do të ishin këto dy tituj”.
A e ka më të lehtë të fitojë tituj me Real Madridin: “Do të jem i sinqertë: Të fitosh tituj te Real Madridi është më e lehtë se kudo tjetër. Kjo për shkak se klubi është fantastik, tifozët tejet mbështetës, ndërsa skuadra ka lojtarët më të mirë në botë”.
Çfarë kujton nga kthimi te Real Madridi: “Ditët para kthimit nuk e imagjinoja që mund të rikthehesha. Bëra atë telefonatë vetëm për të parë nëse mund të gjeja ndonjë lojtar për ta marrë. E hodha ‘karremin’ dhe ata ranë në grackë (qesh)”.
Fitimi i këtij trofeu konsolidon më tej pozicionin e Ancelottit si një nga trajnerët më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe vazhdon trashëgiminë e tij fituese me “Los Blancos”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.