Paris Saint-Germain ka shënuar një fitore të madhe në udhëtim ndaj Arsenalit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së Ligës së Kampionëve.
Skuadra franceze doli fituese me rezultat minimal 1-0 të martën mbrëma në stadiumin “Emirates”, falë një goli të shpejtë nga Ousmane Dembele në minutën e katërt të takimit. Sulmuesi francez konkretizoi një aksion të shpejtë dhe të organizuar në mënyrë perfekte nga të besuarit e Luis Enrique.
Arsenali reagoi pas golit të pësuar dhe e shtoi presionin sidomos në pjesën e dytë. Në minutën e 47-të, Mikel Merino arriti të tundë rrjetën, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozitë jashtë loje.
PSG kishte mundësi të mbyllte llogaritë që në këtë përballje, por përballë portës nuk u tregua klinike, duke shpërdoruar disa raste të pastra për shënim.
- Advertisement -
Tani gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në “Parc des Princes”, ku do të mësohet edhe finalisti i parë i këtij edicioni të Champions League.
Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër mes Barcelonës dhe Interit do të luhet të mërkurën në “Montjuic”.