Në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve ndërmjet Qipros dhe Kosovës, presidenti i Federatës së Futbollit të Qipros, Giorgos Koumas, shfaqi mikpritjen e tij duke shtruar darkën tradicionale për delegacionin e FFK-së, të kryesuar nga presidenti Agim Ademi, si dhe delegatin e UEFA-s për këtë ndeshje.
Darka u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku Koumas i dëshiroi mirëseardhje të ngrohtë delegacionit kosovar dhe shprehu respektin e tij të madh për presidentin Ademi, me të cilin ka ndërtuar një raport të ngushtë miqësor dhe profesional ndër vite.
Gjatë takimit, Koumas dhe Ademi diskutuan rreth rëndësisë së bashkëpunimit mes federatave, duke theksuar vlerën e miqësisë së tyre në promovimin e zhvillimit të futbollit.
Në anën tjetër, presidenti Ademi e falënderoi homologun e tij për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj FFK-së, duke shprehur kënaqësinë për ritakimin me mikun e tij të afërt.
- Advertisement -
Në përfundim të darkës, të dy presidentët shkëmbyen dhurata simbolike, duke përforcuar edhe më shumë lidhjet mes dy federatave dhe duke uruar për një ndeshje të pëlqyeshme në fushën e gjelbër.