Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndoqi nga afër ndeshjen e raundit të 1/8 finale, Angli-Sllovaki, në Gelsenkirchen, në stadiumin “Arena AufSchalke”. Një takim emocionues, që u vendos vetëm në kohën shtesë dhe në fund Anglia u kualifikua më tej, pas fitores me rezultatin 2-1.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, në ambientet e jashtme të stadiumit “Arena AufSchalke”, Duka ka zhvilluar një intervistë me “Klan Kosova”. Kreu i “qeverisë” së futbollit shqiptar foli për emocionet e takimit Angli-Sllovaki, rrugëtimin e kombëtares kuqezi në “Euro 2024” dhe të ardhmen e trajnerit Sylvinho.
E ndoqët nga afër Angli-Sllovaki, si ju duk ndeshja?
Ndeshja ishte e bukur dhe emocionuese. Sllovakia ishte shumë afër kualifikimit dhe do të ishte mirë nëse do të kalonte. Nuk pati fat në çastet e fundit, pësoi golin dhe në shtesë mori një gol të shpejtë. Ishte një ndeshje shumë e bukur dhe emocionuese.
- Advertisement -
Rrugëtimi i Shqipërisë në Kampionatin Europian…
Për mendimin tim ka qenë një paraqitje pozitive e ekipit shqiptar, në të tria ndeshjet, ose më mirë mund të them në dy ndeshje e gjysmë, në ndeshjen e dytë dhe të tretë. Me pikët nuk jemi të kënaqur, pasi morëm vetëm një pikë në tri ndeshje. Ishte grupi më i vështirë i Europianit. Në total paraqitja ishte shumë e mirë, mund të kishim marrë më shumë në tri ndeshjet, nëse do të kishim guxuar, nëse do të kishim besuar më shumë. Paraqitja në përgjithësi ishte e mirë, tifozëria kuqezi fantastike. U pa edhe sot, më shumë atmosferë se kanë krijuar tifozët në ndeshjet tona nuk është krijuar në ndeshjet e tjera. Jo vetëm me atmosferë, por në të gjitha këndvështrimet. Çdo gjë ishte e mirë dhe fantastike.
E ardhmja e trajnerit Sylvinho?
E kam thënë, Sylvinhos i ka mbaruar kontrata pas Europianit, por ne jemi në mirëkuptim për ta vazhduar atë, pavarësisht se nuk është hedhur firma. Ka shkuar të pushojë disa ditë dhe javën tjetër do të takohemi sërish për të diskutuar këtë temë dhe për të vazhduar punën.