Policia e Kamerunit ka hapur një hetim mbi pretendimet se Samuel Eto’o ishte pjesë e një skandali të trukimit të ndeshjeve të futbollit në këtë vend. Ish-sulmuesi i Interit dhe Barcelonës, i është president i Federatës së Futbollit të Kamerunit (Fecafoot) që nga dhjetori 2021, akuzohet se ndihmoi në fiksimin e rezultateve të ndeshjeve në kategorinë e dytë të Kamerunit.
Në korrik u publikua një audio-regjistrim i tij duke folur me dikë që supozohej se ishte Valentine Nkwain, presidenti i Victoria United. Sipas “Camfoot”, Eto’o dyshohet se ka premtuar të promovojë klubin në fjalë nga divizioni i dytë në elitë duke manipuluar ndeshjet. Një pretendim i mohuar nga ish-sulmuesi dhe Nkwain, i cili ka thënë se nuk ishte zëri i tij në audio-regjistrim.
Policia ka konfirmuar në një letër, të parë nga “The Guardian”, se ka hapur një hetim me dyshimin për “shpërdorim të autoritetit dhe korrupsion”. Mësohet se janë pyetur disa dëshmitarë kyç të përfshirë në këtë rast. Hetimi do të shqyrtojë gjithashtu akuza më të gjera për korrupsion në “Fecafoot” gjatë mandatit të Eto’o, të cilat besohet se mund të përfshijnë deri në 40 persona.
Në audio-regjistrim, Eto’o pretendohet të ketë informuar Nkwain se “ka gjëra që mund të bëjmë” në lidhje me një ndeshje në të cilën Victoria u mund 1-0 në dhjetor të vitit të kaluar “por duhet të jesh shumë i matur, vëlla”.
- Advertisement -
“Mos u shqetësoni, ne do t’ju japim tri pikët dhe do ta pezullojmë arbitrin, – citohet t’i ketë thënë Eto’o. – Opopo (pseudonimi i Victoria United) duhet të ngjitet në divizionin e parë. Ky është qëllimi ynë. Kjo është federata jonë. Victoria United do të rritet”. Në fakt, Victoria vazhdoi të ngjitej në elitën e futbollit kamerunas në prill.
Eto’o i tha gazetës italiane “Gazzetta dello Sport” në qershor se kishte “biseduar me një mik, dikë që investon në futboll dhe dëshiron ta bëjë klubin e tij një nga më të mirët në Kamerun”. Ai nënvizoi: “Unë thjesht e qetësova duke i thënë se do të kisha bërë gjithçka që ishte e mundur për të shmangur çdo gabim arbitrimi ndaj tij”.
Lajmi vjen pasi një grup zyrtarësh të futbollit të Kamerunit i bënë thirrje FIFA-s që të ndërmarrë veprime kundër Eto’o pas një sërë incidentesh publike, duke përfshirë zënkën e dhunshme me një gazetar algjerian në Kupën e Botës së Katarit, vitin e kaluar.
Grupi, i cili përfshin Pierre Semengue, president i Ligës Profesionale të Futbollit të Kamerunit, ka shkruar një letër duke iu drejtuar së bashku presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të Konfederatës së Futbollit Afrikan (CAF), Patrice Motsepe, duke denoncuar se ish-sulmuesi lejohet të vazhdojë të imponohet ilegalisht në presidencën e “Fecafoot”.
Një hetim për “disa sjellje të pahijshme të supozuara” të Eto’o u hap nga CAF në fillim të gushtit, por asnjë veprim nuk është marrë. “Asnjë fjalë nuk është dëgjuar nga FIFA, – thuhet në letër, – pavarësisht ankesave të shumta nga aktorët e futbollit kamerunas. Si mundet FIFA të vazhdojë të heshtë përballë kaq shumë skandaleve që komprometojnë besimin e publikut në etikën sportive dhe sinqeritetin e ndeshjeve?”
- Advertisement -
Letra ishte gjithashtu kritike për Infantinon, pasi ai dhe Eto’o u fotografuan së bashku në fillim të këtij muaji në Francë për të diskutuar zhvillimin e futbollit.