Polemika mes PSG dhe Kylian Mbappé është larg të qenit e zgjidhur. Liga Profesionale Franceze e Futbollit (LFP) ka urdhëruar dje klubin parizien të paguajë 55 milionë euro për lojtarin, për t’i shlyer pagat dhe bonuset e papaguara gjatë sezonit të kaluar.
Megjithatë, klubi kryeqytetas nuk ka ndërmend të dorëzohet, por nënvizon: “Jemi të lumtur ta sqarojmë çështjen në muajt dhe vitet e ardhshme përpara gjykatave. Nën dritën e kufizimeve të fuqisë ligjore të Komisionit të LFP për të marrë një vendim për këtë çështje, ajo duhet të trajtohet tashmë në një forum tjetër ligjor”.
Tani lëvizjen e radhës do ta ketë sulmuesi i Real Madridit, i cili do t’i drejtohet gjykatës së punës. Në dy ditët e fundit është bërë gjithçka për ta zgjidhur çështjen në mënyrë miqësore. Më 8 gusht, ish-sulmuesi i PSG-së e çoi çështjen e pagave dhe shpërblimeve në gjykatë, duke kërkuar pagesën e 55 milionë eurove nga ish-klubi i tij.
Dje u organizua një takim mes avokatëve të Mbappe dhe atyre të PSG-së. Komisioni ligjor dukej se i kishte bindur të dyja palët që t’i drejtoheshin ndërmjetësimit, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje pa shkuar në gjykatë, por në fund nuk pati dakordësi.
- Advertisement -
Konflikti buron nga një kontratë e pa nënshkruar kurrë nga të dyja palët në gusht 2023, kur Kylian Mbappé u përjashtua nga turneu veror i PSG. Në një letër që iu besua avokatit të tij, sulmuesi propozoi uljen e shumës së disa bonuseve, duke lejuar kështu klubin të kursente para, por marrëveshja nuk u nënshkrua kurrë zyrtarisht.
Kështu, lojtari kërkon një bonus prej 30 milionë euro bruto (i ashtuquajturi “bonus besnikërie”, të cilin duhet ta kishte marrë në shtator 2023), përveç pagave të prill, maj dhe qershor 2024. Kapiteni i kombëtares franceze iu drejtua gjithashtu UEFA-s, e cila mund t’i ndalojë PSG-së të bëjë lëvizje të reja në sesionet e ardhshme të transferimeve.