Marrëdhënia mes Igli Tares dhe Lazios ka marrë fund. Sipas raportimeve nga “Il Messaggero”, ka disa arsye për këtë divorc. Para së gjithash, ndjenja që nuk lulëzoi kurrë mes Tares dhe Sarrit, ku ky i fundit mori merita të mëdha në sytë e Lotitos, pasi siguroi paraprakisht kualifikimin në Champions League, edhe pse me një grup lojtarësh më inferiorë se shumë rivalë.
Për ta përballuar më mirë angazhimin e dyfishtë (Serie A dhe Champions League) sezonin e ardhshëm, Sarri kërkoi 5 përforcime të spikatura (plus 2, 3 lojtarë të rinj), ndërsa për Taren do të duheshin më së shumti disa “shartime”.
Një larmi e theksuar pikëpamjesh, e cila në mënyrë të pashmangshme do të kishte çuar herët a vonë në largimin e njërit prej të dyve. Për zëvendësuesin e drejtorit sportiv shqiptar tash 15 vite, presidenti Lotito ka tre emra në mendje: Giuntoli, Accardi dhe Foggia.
Ndërkohë, Igli Tare ka lavdëruar arritjen e madhe të Simone Inzaghit, ish-trajnerit të Lazios, që tashmë e sheh veten në finalen e Champions League, më 10 qershor kundër Manchester City: “Jam shumë i lumtur për atë që ka bërë deri më tani Simone Inzaghi. E meriton çdo gjë. Edhe pse është i ri ende, po bën një karrierë të rëndësishme.
- Advertisement -
Po realizon objektiva të mëdhenj dhe ka fituar që tani shumë trofe. Tashmë uroj që të mund ta kurorëzojë karrierën e tij me një paraqitje fantastike në finalen e Champions League dhe pse jo me trofeun. Do të më bëhej shumë qejfi për të”.