Paris Saint-Germain është finalisti i dytë i Ligës së Kampionëve, pasi mposhti Arsenalin me rezultat të përgjithshëm 3-1 dhe vulosi kalimin për në finalen e madhe që do të zhvillohet në Munich, ku do të përballet me Interin.
Skuadra franceze triumfoi 2-1 në ndeshjen kthyese të zhvilluar në “Parc des Princes”, duke konfirmuar epërsinë që e kishte ndërtuar me fitoren 1-0 në ndeshjen e parë në Londër.
Ndeshja nisi me dominim të Arsenalit, që krijoi tri raste të rrezikshme në minutat e para, por pa arritur t’i konkretizojë. PSG reagoi shpejt dhe ndëshkoi në minutën e 27-të, kur Fabian Ruiz realizoi një gol të bukur për të kaluar vendasit në avantazh.
Në pjesën e dytë, PSG pati mundësinë ta mbyllte takimin kur fitoi një penallti në minutën e 69-të pas ndërhyrjes së VAR-it për lojë me dorë. Megjithatë, Vitinha nuk arriti ta shënojë, pasi portieri David Raya priti gjuajtjen dhe mbajti gjallë shpresat e londinezëve.
- Advertisement -
Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 72-të, Achraf Hakimi dyfishoi epërsinë për PSG-në pas një asistimi të saktë nga Ousmane Dembele. Arsenal reagoi menjëherë dhe ngushtoi rezultatin në 2-1 me një gol të Bukayo Saka në minutën e 76-të.
Momenti më i mirë për barazim iu paraqit Sakas në minutën e 80-të, kur kishte përballë portën bosh, por nuk e shfrytëzoi rastin në mënyrën më të mirë.
Fundit të ndeshjes i parapriu një tensionim i madh në fushë, me disa kartonë të verdhë për Calafiori, Saka dhe Kvaratskhelian, por rezultati mbeti i pandryshuar. PSG siguron finalen e tretë në histori dhe do të kërkojë trofeun e parë në Champions kundër një Interi të etur për rikthim në majë.