Bayern Munich tronditi opinionin gjerman kur të shtunën, pak minuta pasi fitoi titullin e kampionit në Bundesligë, shkarkoi drejtorin ekzekutiv, Oliver Kahn dhe drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiq.
Pasi situata u qetësua pak, presidenti i klubit Herbert Hainer tha se pozicioni i trajnerit Thomas Tuchel është i sigurt dhe se ai do të drejtojë ekipin sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, mediat gjermane nuk i besojnë Hainerit, pasi mëngjesin e sotëm kanë bërë të ditur se Bayerni nuk ka përfunduar me shkarkimet dhe se në klub po përgatitet një “tërmet” i ri.
Dietmar Hamann, ish-lojtari i Bayernit, si mysafir në “Sky Sport” gjerman ka thënë se trajneri Thomas Tuchel, i cili ka ardhur në klub vetëm dy muaj më parë, do të largohet.
- Advertisement -
“Kur i trajton njerëzit kështu, lind pyetja, a dëshiron të punosh në këtë lloj klubi? Nuk mund ta përjashtoj mundësinë që Tuchel të largohet së shpejti. Por ai do të largohet me dëshirën e tij”, tha Hamann, duke aluduar për fatin e Khanit dhe Salihamixhiqit.
Kolegu i tij Eric Meyer, gjithashtu ish-futbollist, u pajtua me konstatimin e Hamann dhe shtoi se mendonte se “çështja e ditës është se kur Tuchel do të largohet nga Bayerni”.