Gjerman Felix Zwayer do të jetë arbitri i ndeshjes së të shtunës mes Italisë dhe Shqipërisë, që do të luhet në Dortmund. Këtë sezon ai ka arbitruar 18 ndeshje të Bundesligës dhe 4 ndeshje të Ligës së Kampionëve, duke përfshirë ndeshjen e parë 1/8 finale mes Napolit dhe Barcelonës, që përfundoi 1-1. Ai gjithashtu drejtoi një tjetër skuadër italiane, Romën, në ndeshjen e dytë 1/8 finale të ‘Europa League’ në Brighton.
Kombëtarja jonë kuqezi do të debutojë në “Euro 2024” të shtunën e 15 qershorit (ora 21:00) kundër Italisë. Një ndeshje që mund të vlejë shumë për sa i përket kualifikimit, pasi në Grupin B përfshihen kombëtaret kryesore si Spanja dhe Kroacia. Prandaj, Felix Zwayer, me profesion agjent imobiliar, do të ketë përgjegjësinë e gjykimit në “Westfalenstadion” të Dortmundit. Ndihmës të tij do të jenë Stefan Lupp dhe Marco Achmülle.
Karriera e arbitrit të lindur në Berlin më 19 maj 1981 nuk është pa njolla. Njolla më e bujshme daton në vitin 2005, kur ai u skualifikua për 6 muaj. Zwayer ishte asistent i arbitrit Hoyzer dhe pranoi se ishte përfshirë në rregullim në një ndeshje të kampionatit gjerman.
U promovua në Bundesligë në vitin 2009 dhe nga viti 2012 u emërua ndërkombëtar, deri në drejtimin e finales së Ligës së Kombeve 2022-2023 mes Spanjës dhe Kroacisë. Nga pikëpamja e qëndrimit të tij në fushë është një arbitër autoritar, që përdor jo pak kartonët dhe nuk favorizon dialogun me lojtarët. Një tjetër karakteristikë që e dallon është se priret të shmangë ndihmën e VAR-it.
- Advertisement -
Nëntorin e kaluar, Zwayer arbitroi ndeshjen kualifikuese të “Olimpico” për “Euro 2024” midis Italisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me atë rast ai me të drejtë anuloi një gol të Raspadorit për pozicion jashtë loje, akordoi një penallti për axurrët pasi VAR-i konfirmoi prekje me dorë nga Serafimov. Por mbi të gjitha, skuadrat italiane kanë kujtime të pakëndshme me këtë arbitër gjerman.
Në vitin 2020, Juventusi i Sarrit e pagoi çmimin me eliminimin në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Në fakt, kundër Lyon të Rudi Garcia u penalizua nga një penallti inekzistente (Cesari e përcaktoi paraqitjen e arbitrit si të turpshme). Kujtim i keq edhe më i fundit, në ndeshjen e Ligës së Evropës ndërmjet Brighton dhe Romës, kur në pjesën e parë anuloi një gol të rregullt të Azmoun.