Portugalia ka tashmë një tjetër Ronaldo në radhët e saj përfaqësuese. Djali i superyllit Cristiano Ronaldo, Cristiano Ronaldo Junior, është thirrur për herë të parë në kombëtaren U-15 të Portugalisë, duke ndjekur rrugën e babait të tij në skenën ndërkombëtare.
Këtë lajm emocionues e ka ndarë vetë Cristiano Ronaldo në rrjetet e tij sociale, duke e cilësuar si një moment krenarie për familjen. Edhe gjyshja e tij, Dolores Aveiro, ka reaguar publikisht, duke shkruar: “Jam shumë krenare për nipin tim që po ndjek hapat e babait të tij duke përfaqësuar kombëtaren tonë. Gjyshja do të jetë aty për të të mbështetur. KRENARI”.
Cristiano Junior është përfshirë në listën e lojtarëve që do të përfaqësojnë Portugalinë në turneun ndërkombëtar “Vlatko Markovic”, i cili do të mbahet në Kroaci nga data 13 deri më 18 maj. Portugalia do të përballet me Japoninë, Greqinë dhe Anglinë në fazën e grupeve.
Aktualisht, ai luan për ekipet e moshave të Al Nassr në Arabinë Saudite, të njëjtin klub ku aktivizohet edhe i ati. Më parë, Junior ka qenë pjesë e akademive të Juventusit dhe Manchester United, duke ndjekur në mënyrë të vazhdueshme hapat e të atit.
- Advertisement -
Me këtë grumbullim, ndodh një rast i rrallë në historinë e futbollit: babë e bir përfaqësojnë kombëtaren e një vendi në të njëjtën kohë. Cristiano Ronaldo Senior mbetet pjesë kyçe e Portugalisë A, duke synuar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026, ndërsa djali i tij nis rrugëtimin e parë me grupmoshat.
