Policia e Brukselit ka arrestuar Radja Nainggolan në kuadër të një hetimi për importimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Janë kryer rreth 30 kontrolle banesash, kryesisht në provincën e Antverpenit dhe Bruksel.
Arrestimi i ish-mesfushorit të Interit, Romës e Cagliarit në Serie A është pjesë e një hetimi më të gjerë mbi krimin e organizuar, i përqendruar në shpërndarjen e kokainës në Belgjikë. Sipas shtypit lokal, hetimet dhe marrjet në pyetje janë ende në vazhdim.
“Nuk do të bëhen komente të mëtejshme në këtë fazë”, – ka deklaruar avokati, duke kërkuar respektimin e parimit të pafajësisë deri në provimin e fajësisë. Një nga bashkëpunëtorët e Nainggolan ka qenë më parë i lidhur me trafikun e kokainës.
brahim Ahmadoun ishte dënuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016. “Vetëm sepse ke bërë një gabim në të kaluarën nuk do të thotë që duhet ta paguash për të gjithë jetën. Ai është thjesht shumë i aftë në punën e tij të re”, – kishte deklaruar Nainggolan, i cili kishte themeluar së bashku me Ahmadoun kompaninë “The Aviation Factory Rad Lab”, që ofron me qira vila luksoze dhe avionë privatë për futbollistë e yje ndërkombëtare.
- Advertisement -
Vetëm disa ditë më parë, Nainggolan kishte befasuar duke nënshkruar me Lokeren, një klub të divizionit të dytë belg. Fundjavën e kaluar ai debutoi dhe shënoi një gol direkt nga goditja e këndit.
“Duke qenë se hetimi është ende në vazhdim, shërbimet policore nuk mund dhe nuk duan të bëjnë komente të mëtejshme. Respektojmë parimin e pafajësisë. Si klub jemi dakord me këtë. Mund ta konfirmojmë vetëm që lojtari nuk ishte i pranishëm në stërvitjen e mëngjesit të sotëm”, – thuhet në deklaratën zyrtare të klubit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.