“Jam 61 vjeç, por nuk dua të ndalem së trajnuari. Absolutisht jo. Kam ende karrierë përpara”. Këto janë fjalët e José Mourinhos, i intervistuar nga gazeta britanike “The Telegraph”. Trajneri portugez është gati të rikthehet në fushë, por me një projekt bindës.
“Ajo që mund të bëjë ndryshimin është dëshira e klubit për të më pasur mua, – shpjegon Mourinho, i cili të dielën e 21 prillit ndoqi ndeshjen mes Fulhamit dhe Liverpool-it. – Përcaktuese është sa shumë klubi i interesuar për mua ka nevojë për një person dhe një trajner si unë. Dhe sa emocione, sa shumë ndjeshmëri, ai klub ngjall tek unë.
E vetmja gjë që dua është që qëllimet dhe objektivat të vendosen në kohë. Nuk mund të shkoj në një klub ku, vetëm për shkak të historisë sime, objektivi të jetë fitimi i titullit. Klubi duhet të ketë objektiva, nuk dua të them realiste, por të paktën gjysmë realiste”.
Për përvojën e tij në Romë, ai shprehet: “Kur shkova te Roma, askush nuk ëndërronte për një finale europiane. Megjithatë ne e arritëm atë. Nuk është e mundur që unë të shkoj në një klub që pothuajse është rrëzuar dhe objektivi të jetë fitimi i Champions League. Kjo nuk është e drejtë.
- Advertisement -
Dua të jem trajner që punon me ekipin, të fokusohem në zhvillimin e lojtarëve, në përgatitjen për ndeshjet. Fatmirësisht këtë e kam bërë mirë në karrierën time. Fatkeqësisht, kam pasur situata të tjera, ku më duhej të isha shumë më tepër se trajner”.