Luka Modric, mesfushori i Real Madridit, kontrata e të cilit përfundon më 30 qershor, shmangu përgjigjet konkrete mbi të ardhmen e tij gjatë festimit të titullit të 36-të të La Liga-s. Kroati konsideroi se “është koha për të festuar me tifozët dhe shokët e skuadrës”.
“Dua t’ju falënderoj për gjithë dashurinë që më tregoni çdo ditë. Unë gjithashtu ju dua shumë. E ardhmja? Epo, le të shohim. Është koha për të festuar me njerëzit dhe kolegët e mi. Të shohim se çfarë do të ndodhë.
Nuk është koha për të folur për këtë. Dua ta mbyll sezonin mirë, shpresoj të vij sërish këtu më 2 qershor (pas finales së Ligës së Kampionëve) dhe në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Luka Modric vlerësoi fitimin e titullit të radhës kampion në Spanjë: “Është gjithmonë një gëzim i jashtëzakonshëm të vish këtu me madrilenët dhe të shijosh një titull që nuk ka qenë i lehtë, sepse kemi pasur shumë probleme. Ne kemi treguar unitet, cilësi, karakter dhe gjithçka që është e nevojshme për të fituar La Liga-n”.
- Advertisement -
Një tjetër “senator” i bardhë, që gjithashtu nuk e ka përcaktuar të ardhmen e tij, është Toni Kroos. Edhe gjermanit, ashtu si Modric, i përfundon kontrata më 30 qershor. Të dy janë në pritje të një takimi me Florentino Pérez, që do të zhvillohet në ditët në vijim dhe do të jetë vendimtar.