Ylli i Paris SG-së, Lionel Messi, ka dalë me një video-mesazh pas pezullimit nga klubi, pasi shkoi në vizitë në Arabinë Saudite pa lejen e klubit.
Ai u ka kërkuar falje bashkëlojtarëve dhe ka thënë se po pret vendimin e klubit. Në një video të shkurtër, të postuar të premten në profilin e tij në rrjetin social “Instagram”, Mesi ka thënë se “ka menduar se ka ditë të lirë, pas ndeshjes, siç ka ndodhur gjithmonë”. “E pata organizuar këtë vizitë dhe s’mund ta anuloja, sepse e kisha anuluar disa herë më parë, – ka thënë ai, duke shtuar: “U kërkoj falje bashkëlojtarëve dhe po pres se çfarë do të bëjë klubi.”
Më 2 maj, Mesi u gjobit me një shumë të majme, që nuk është bërë sidoqoftë publike, dhe u pezullua për dy javë nga Paris SG-ja, pasi udhëtoi për në Arabinë Saudite pa lejen e klubit. Udhëtimi erdhi pas humbjes së papritur të parisienëve në shtëpi përballë Loriontit të dielën, ndeshje në të cilën argjentinasi luajti 90 minuta. Mesi nuk do të udhëtojë dhe nuk do të luajë për kampionin francez përgjatë periudhës dyjavore të pezullimit, teksa do të mungojë në ndeshjet ndaj Trouasë dhe Ajaçosë, ndonëse raportimet e medieve ndërkombëtare sugjerojnë se ai e ka mbyllur sezonin me gjiganden pariziene.
Kontrata dyvjeçare e 35-vjeçarit me Paris SG-në përfundon në verë dhe është bërë publik tanimë fakti që ajo nuk do të rinovohet. Mesi ka shënuar 31 gola dhe ka kontribuuar me 34 pasime për gol në 71 ndeshje në të gjitha veprimtaritë për Paris SG-në, e të cilën ka fituar titullin e kampionit të Francës në edicionin e kaluar.
- Advertisement -
Pesë javë para fundit të këtij sezoni të Ligës 1, skuadra pariziene kryeson renditjen, me 5 pikë më shumë se ndjekësja më e afërt dhe është në rrugë të mbarë për ta fituar titullin e 9-të në 11 edicionet e fundit në Francë.