Lionel Messi i ktheu vitet pas me një paraqitje shumë të mirë me Argjentinën, të martën, duke shënuar 3 gola e dhënë 2 asiste në fitoren 6-0 të të tijve ndaj Bolivisë. Ishte kjo një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Ky ishte “hat-trick” i 10-të ndërkombëtar i 37-vjeçarit, një numër që e barazon atë me rekordin e Cristiano Ronaldos në futboll. “Është vërtet bukur të vij këtu, të ndjej dashurinë e njerëzve, më emocionon kur tifozët bërtasin emrin tim, – tha Messi pas performancës së paharrueshme në “Estadio Monumental” të Buenos Aires.
– Kjo më shtyn përpara. Më pëlqen të ndihem i lumtur aty ku jam. Pavarësisht moshës time, kur ndodhem këtu, ndihem si fëmijë, sepse jam rehat me këtë ekip. Për sa kohë që ndihem mirë dhe mund të vazhdoj të performoj ashtu siç dua, do të vazhdoj ta shijoj kombëtaren”.