Vetëm pak ditë pas pjesëmarrjes në samitin e Tiranës, ku u ul në një tryezë me liderët evropianë dhe u prit nga kryeministri Edi Rama, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dhënë një deklaratë që ka rikthyer në vëmendje tensionet sportive dhe politike mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Gjatë një tubimi të partisë së tij (SNS), Vuçiç u ndal për një moment te trajneri i kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, duke e falënderuar për praninë në aktivitet dhe duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë për ndeshjen ndaj Shqipërisë që do të luhet më 7 qershor.
“Ju lutem, duartrokiteni trajnerin tonë Dragan Stojkoviç, një legjendë e Nishit, i cili nuk u fsheh si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne këtu. Në qershor luani atje kundër Shqipërisë – për t’i mposhtur ata!”, u shpreh Vuçiç, në një deklaratë që u interpretua nga analistët si një mesazh me ngarkesë politike, përtej kontekstit sportiv.
Stojkoviç, i ulur në sallë, reagoi me një buzëqeshje të rezervuar ndërsa përtypte çamçakëz, në një moment të fiksuar nga kamerat.
- Advertisement -
Deklarata e Vuçiç vjen në një kohë kur përballja Shqipëri–Serbi shihet si më shumë se një ndeshje futbolli, për shkak të historisë së tensionuar mes dy vendeve. Kontrasti mes toneve diplomatike të samitit në Tiranë dhe gjuhës së përdorur në tubimin partiak të Vuçiçit nënvizon vështirësinë për të ndarë sportin nga politika në Ballkan.
Përballja e 7 qershorit në Tiranë pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjeshme të muajit, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë simbolik dhe diplomatik.