Ende me jehonën e komunikimit të Kylian Mbappé se ai nuk ka ndërmend të zgjasë kontratën me PSG-në përtej 2024-ës, sulmuesi francez shënoi golin e fitores 1-0 kundër Greqisë në një ndeshje kualifikuese për “Euro 2024”.
Me këtë gol, Kylian Mbappé, i cili në moshën 24-vjeçare nuk e ka fituar ende “Topin e Artë”, arriti në kuotën e 54 “rrjetave” në një sezon mes klubit dhe kombëtares, duke mposhtur Just Fontaine (53 gola) si lojtari francez që ka shënuar më shumë gola në një sezon të vetëm.
I pyetur nëse mendon se mund ta fitojë “Topin e Artë”, në përfundim të ndeshjes ndaj grekëve, Kylian Mbappé u përgjigj në mikrofonat e TF1: “Topi i Artë? Është gjithmonë e vështirë të flasësh për një trofe individual, sepse duhet të dallosh veten.
Kjo është diçka që nuk kalon domosdoshmërisht në sytë e publikut të gjerë. Sidoqoftë, mendoj se i plotësoj të gjitha ato kritere që duhen për ta fituar këtë çmim prestigjioz. Do të thosha po, por janë njerëzit që votojnë. Megjithatë, jam gjithmonë optimist”.
- Advertisement -
Më 6 shtator, revista ‘France Football’ do të shpallë listën e futbollistëve të nominuar për ta fituar ‘Topin e Artë’, çmim të cilit ylli francez iu afrua më pranë në vitin 2018, kur ishte i katërti në renditje dhe fitoi Luka Modriç.
Golashënuesi Erling Haaland, fiyues i Champions League, Premier League dhe “FA Cup” me Manchester City; si dhe Leo Messi, fitues i Kupës së Botës dhe Ligue 1 me PSG-në, po shihen si dy favoritët kryesorë për të fituar ‘Topin e Artë’ të vitit 2023.