I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi Kylian Mbappe foli edhe për të tashmen dhe të ardhmen e tij te PSG: “Nuk kam kërkuar të shitem apo të shkoj te Real Madridi. Unë vetëm konfirmova se nuk doja ta aktivizoja vitin shtesë të parashikuar në kontratën ekzistuese. Kurrë nuk kam folur për një rinovim me PSG, por jam i lumtur që do të qëndroj këtu sezonin e ardhshëm”.
Çfarë sezoni ishte ky i fundit?
Qëllimi për dikë si unë është të fitojë çdo titull. Ne e dinim se kishim mangësi dhe herët a vonë do të përfundonim duke paguar për to. Duhet të mësoni nga gabimet tuaja në mënyrë që të mos i përsërisni ato çdo sezon.
Leo Messi është larguar tashmë nga PSG…
- Advertisement -
Ne po flasim potencialisht për lojtarin më të mirë në historinë e futbollit. Kur dikush si Messi largohet, nuk është kurrë një lajm i mirë. Nuk e kuptoj pse kaq shumë njerëz u lehtësuan nga lamtumira e tij. Në Francë, ai nuk mori respektin që meritonte.
Si e patë përfaqësimin e tri skuadrave italiane në finalet e Kupave të Europës?
Si tifoz i Milanit është e vështirë të flas mirë për Interin. Megjithatë, zikaltrit e kishin përgatitur mirë finalen e Stambollit dhe e vendosën City në vështirësi. U ndëshkuan vetëm nga detajet. Futbolli është i tillë, por Interi duhet të jetë i kënaqur me paraqitjen. Dhe urime Manchester City.
Edhe Fiorentina dhe Roma kanë luajtur në finale…
Është e hidhur t’i humbësh finalet, por kjo ishte paraqitje e mirë e futbollit italian. Fiorentina dhe Roma treguan se mund të bëni mirë edhe pa buxhetet e Manchester Cityt apo PSG-së… Unë e kam ndjekur Serie A që kur isha fëmijë. Ronaldo me siguri e ka rikthyer vëmendjen në ligën italiane, mund të jetë fillimi i një cikli të ri.
- Advertisement -
Futbolli italian humbi një njeri me shumë ndikim në të, Silvio Berlusconi…
Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen e tij, është një humbje e madhe për të gjithë. Ai ishte një president emblematik, ndërtoi Milanin e madh që më bëri të ëndërroja si fëmijë. Shpresoj që tifozët t’i bëjnë një nderim të denjë.