Ish-mbrojtësi i Manchester United dhe fitues i Ligës së Kampionëve, Rio Ferdinand, ka deklaruar se, pavarësisht suksesit të fundit të Liverpool-it, klubi i tij i dikurshëm mbetet ende më i madhi në botë.
“Liverpool-i është klubi më i suksesshëm në Angli, por nuk janë më të mëdhenjtë. Ky është fakt. Shkoni kudo në botë dhe do të shihni se Manchester United ka më shumë tifozë sesa Liverpool,” ka thënë Ferdinand për media, duke shtuar se kjo mund të ndryshojë nëse Liverpool vazhdon të dominojë dhe United mbetet pas.
Ferdinand e pranon se dominimi i Liverpool-it në vitet e fundit ka qenë i vështirë për t’u përtypur për tifozët e United.
“Më vret mendjen. Kur isha te United, ishim shumë përpara, fitonim liga dhe ishim dominues. E rikthyem diferencën dhe ishim sërish përpara. Ishte një ndjesi fantastike. Tani, po e shoh me sytë e mi dhe gjithçka po rrëshqet. Liverpool është bërë më i suksesshëm që nga pensionimi im. Duhet ta pranosh,” ka thënë ai.
Deklaratat e Ferdinand vijnë në një moment kur Liverpool ka arritur fitimin e titullit të Premier League, ndërsa Manchester United po kalon një periudhë të vështirë, duke qëndruar larg majave të tabelës.