Ndërsa po afrohet finalja e shumëpritur e Ligës së Kampionëve, trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka komentuar rrugëtimin e skuadrës së tij drejt aktit final dhe përballjen me Interin këtë të shtunë në “Allianz Arena” të Mynihut.
Në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s, tekniku spanjoll e ka përshkruar sezonin e PSG në Champions si një rrugëtim dramatik dhe plot emocione.
“Champions-i ynë? Si një thriller i vërtetë”
“Nëse do të tregonim gjithçka që kemi përjetuar këtë edicion, do të dilte një film horror ose thriller,” u shpreh Enrique. “Në çdo ndeshje të fazës së grupeve, sidomos në shtëpi, meritonim më shumë. Në finalizim kemi qenë thuajse qesharakë. Është shumë e rrallë të shohësh një skuadër të këtij niveli me një efikasitet kaq të ulët. Renditja tregonte një realitet, por ndjesia në fushë ishte krejt tjetër – skuadra po bënte mirë.”
- Advertisement -
Kthesa gjatë sezonit
Trajneri i PSG foli edhe për momentin kur skuadra filloi të stabilizohej: “Kur gjithçka filloi të qartësohej, sidomos para portës, arritëm të realizonim gjëra të rëndësishme. Duhet të jemi krenarë për çfarë kemi bërë, por nuk mjafton – synimi ynë është të hyjmë në histori.”
Ai vlerësoi vazhdimësinë e skuadrës në stilin e lojës dhe përkushtimin për fitore: “Statistikat flasin qartë – kemi dominuar në shumë ndeshje, kemi krijuar më shumë raste dhe kemi pësuar më pak gola, por nuk kemi qenë efikasë.”
Rrugëtimi i vështirë deri në finale
Luis Enrique kujtoi kundërshtarët e fortë që PSG ka pasur në këtë edicion: “Kemi luajtur në fushën e Bayernit dhe dy herë ndaj Arsenalit në gjysmëfinale. Në shtëpi kemi pritur Atlético Madridin dhe Manchester City-n. Në çerekfinale sfiduam Liverpool-in, që në atë kohë ishte ndoshta skuadra më e mirë në Evropë. Praktikisht kemi luajtur ndeshje me eliminim direkt që në fazën e grupeve.”
- Advertisement -
Respekt për Interin
Trajneri spanjoll nuk kurseu vlerësimet për rivalin e finales: “Interi është një skuadër më me përvojë se ne. Ka luajtur në finalen e Stambollit para dy vitesh. Ka një trajner që e njeh mirë peshën e këtyre ndeshjeve dhe një ekip shumë të fortë, si në posedimin e topit ashtu edhe në mbrojtje. Pa dyshim, ata e meritojnë të jenë në këtë finale.”