Kualifikimi i Milanit në finalen e UEFA Champions League duket një mision në kufijtë e të pamundurës. Nuk mendon kështu Rafael Leao, i cili edhe pse skuadra ku luan u mund 2-0 në sfidën e parë ndaj rivalëve të Interit, duket optimist.
Sulmuesi portugez mungoi në aktin e parë për shkak dëmtimi dhe me shumë mundësi do mund të kontribuojë në sfidën e kthimit, të martën. “Gjithçka në kohën e duhur, asnjëherë mos festoni përpara kohe”, – Shkruan Leao në rrjetet sociale, duke ndezur ato pak shpresa që ekzistojnë te tifozët milanist.
Mos-prezenca e tij në 90 minutëshin e parë bëri që skuadra e drejtuar nga Pioli të jetë mjaft e dobët në sulm, me goditjen në portë që u kthye në një synim më vete.