Kombëtarja është kthyer në një bekim për Elseid Hysaj, mundësia e vetme për të për të zhvilluar ndeshje zyrtare. Anësori kuqezi po përjeton momentin e tij më të vështirë në karrierë pasi Lazio e ka “fshirë” nga çdo turne. Pasi e lanë jashtë listës së Europa League, drejtuesit e klubit kryeqytetas e lanë jashtë edhe nga lista e lojtarëve të përfshirë në Serie A.
Në këto kushte, Hysaj spostohet në tribunë duke mos pasur asnjë shanse për të luajtur asnjë minutë të paktën deri në janar, nëse arrin të largohet nga kryeqyteti. Kjo është një formë hakmarrje nga ekipi i Lazio-s pasi mbrojtësi shqiptar nuk u largua gjatë merkatos së verës, në një kohë kur drejtuesit e klubit ia kishin bërë të qartë se nuk bënte pjesë në planet e trajnerit për sezonin e ri, por Hysaj vendosi të qëndronte.
Pas kritikave të shumta në “Euro2024”, Hysaj përballet me një tjetër realitet të hidhur.