Khvicha Kvaratskhelia ka bërë debutimin e tij me Paris Saint-Germain në një ndeshje kundër Reims, e cila përfundoi me barazimin 1-1. Ylli gjeorgjian asistoi në golin e avantazhit, të shënuar nga Ousmane Dembélé, por përfundimi i ndeshjes la një shije të ëmbël dhe të hidhur për të. Në përfundim të barazimit, Kvaratskhelia foli për “L’Équipe”, duke ndarë emocionet dhe përshtypjet e tij mbi fillimin e aventurës së re në Paris.
Atmosfera në debutim: “Ishte një ndjesi e pabesueshme. Një atmosferë fantastike. Jam vërtet i lumtur që ndodhem këtu, me këta tifozë, këtë skuadër dhe këta lojtarë të jashtëzakonshëm”.
Paraqitja personale dhe ndjenja pas asistit: “Jam ndjerë mirë, edhe pse ishte një ndeshje e vështirë. Krijuam shumë raste, por humbëm shumë prej tyre, gjë që shpjegon rezultatin përfundimtar. Për asistin jam shumë i lumtur dhe krenar. Ishte një moment i rëndësishëm për mua, por ndjehem pak i zhgënjyer që nuk fituam. Do të punojmë më shumë dhe fitorja do të vijë”.
Duke folur për gjendjen e tij fizike, Kvaratskhelia pranoi: “Nuk kisha luajtur për një muaj, kështu që ishte pak e vështirë për mua. Trajneri dhe stafi do të më ndihmojnë të arrij formën optimale, edhe unë do të vazhdoj të punoj shumë”. Lidhur me pozicionin e tij në fushë, gjeorgjiani u shpreh: “Mund të luaj në çdo pozicion në sulm. Rotacionet e skuadrës bëjnë që të mund të lëvizësh lirshëm dhe kjo është diçka shumë e këndshme. Ndihesh i lirë dhe afër portës”.
- Advertisement -
Kvaratskhelia foli me mirënjohje për mbështetjen që ka marrë në klub: “Kjo javë ka shkuar shumë mirë. Lojtarët dhe klubi kujdesen për gjithçka, duke më thënë: Ti vetëm përqendrohu te stërvitja, ne do të merremi me të tjerat. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, kjo është shumë e rëndësishme për mua”.
Duke folur për Ligën e Kampionëve, ai shtoi: “Sigurisht që dua që PSG të kualifikohet. Kam qenë tifoz i skuadrës kundër Manchester City, ishte një ndeshje fantastike. PSG tregoi cilësitë e veta. Tani na pret një tjetër sfidë e vështirë kundër Stuttgarit, sepse në Champions League nuk ka ndeshje të lehta”.
Për të luajtur në të njëjtin kampionat me bashkëkombësit Georges Mikautadze dhe Zuriko Davitashvili, gjeorgjiani tha me humor: “Jam i lumtur që i kam këtu. Janë miqtë e mi, por tani jemi edhe rivalë. Kur të takohemi në kombëtare, mund të ‘thmubohemi’ pak me shaka”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.