Sylvinho duket se ka gati tri zëvendësime në formacionin startues ndaj Kroacisë. Më konkretisht, krahasuar me 11-shen që nisi ndeshjen e parë në “Euro 2024”, ndaj Italisë, kuqezinjtë tanë pritet të kenë tri “prurje” të reja.
Vendin e Arlind Ajetit në qendër të mbrojtjes kuqezi, përkrah kapitenit Gjimshiti, me shumë gjasë do ta zërë Ismajli, i cili ka kaluar një dëmtim dhe nuk ka luajtur shumë me klubin e tij të Serie A.
Në të djathtë të mbrojtjes sonë, po ashtu, duket se do të ulet në stol Hysaj. Vendin e shkodranit të kryqëzuar pas humbjes me Italinë, për atë kokë të ulur te goditja predhë e Barella, që solli dhe golin e dytë, do ta zërë Ivan Balliu, i cili luan në La Liga. Një mbrojtës anësor që është shumë aktiv edhe në fazën ofensive, me daljet përpara dhe krosimet nga e djathta.
Ndryshimi i tretë në formacionin startuës të kuqezinjve prek sulmin. Taulant Seferi duket se ka humbur në hierarki, pas paraqitjes ndaj axurrëve, duke “hapur krahun” për Arbër Hoxhën. Një lojtar mjaft aktiv në të majtë të sulmit, driblues i spikatur në duelet një kundër një, i freskët fizikisht dhe goditës i mirë i portës kundërshtare.
- Advertisement -
Pjesa tjetër e formacionit nuk pritet të ketë ndryshime, me emra si Strakosha, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bajrami, Ramadani dhe Broja startues ndaj Kroacisë, ashtu si ndaj Italisë.
Prognoza – Sipas bastvënësve dhe prognozave të llojeve të ndryshme, Kroacia është favoritja e madhe për të triumfuar në përballjen e sotme me kuqezinjtë tanë. Më konkretisht, kombëtarja e drejtuar nga Zlatko Dalic ka 62.9% shanse për të fituar, sipas simulimeve para ndeshjes të superkompjuterit Opta.
Humbja e Shqipërisë kundër Italisë në ndeshjen e parë të “Euro 2024” ishte e para konkurruese që nga marsi 2023, duke i dhënë fund një serie prej 7 rezultatesh pozitive (e pamposhtur): 4 fitore dhe 3 barazime.
Kroacia ka humbur tri nga pesë ndeshjet e fundit konkurruese, po aq humbje sa në 29 ndeshjet e mëparshme. Pasi të dyja kombëtaret pësuan disfata në sfidat e para përkatëse të Grupit B, Kroacia dhe Shqipëria do të shpresojnë te kthesa në duelin direkt të Hamburgut.
Kjo do të jetë përballja e parë mes Kroacisë dhe Shqipërisë në çdo kompeticion. Shqipërisë nuk i jepet shumë shpresë nga superkompjuteri Opta, pasi skuadra e Sylvinhos triumfoi në vetëm 15.7% të 10.000 simulimeve para ndeshjes.
- Advertisement -
Një barazim vetëm sa do të dëmtonte më tej shpresat e Kroacisë favorite, gjithashtu të Shqipërisë, e cila në ndeshjen e fundit do të sfidojë Spanjën.