Shqipëria është gati për ndeshjen me Kilin. Pas përfundimit të konferencës së trajnerit Silvinjo dhe kapitenit Berat Gjimshiti, ekipi zbriti në fushë dhe kreu seancën stërvitore në stadiumin “Ennio Tardini”.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se lojtarët janë në formë të mirë dhe nuk kanë probleme fizike. Në dispozicion të trajnerit Silvinjo për sfidën e sotme nuk do të jetë vetëm portieri Etrit Berisha, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës që ka udhëtuar drejt Italisë është gati për ndeshjen ndaj Kilit.
Stërvitja e ditës së djeshme nuk ka pasur shumë ngarkesa fizike, me stafin teknik që e fokusoi më shumë seancën në ushtrimet me topin dhe situata të ndryshme loje. Takimi ndaj Kilit do të luhet sonte prej orës 20:45, në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës.
“Super Sport”, në çdo hap pranë kombëtares, ka arritur të mësojë formacionin me të cilin pritet ta nisë këtë miqësore trajneri Silvinjo. Në portë do ta nisë nga minuta e parë Thomas Strakosha, ndërkohë që katërshen e prapavijës pritet ta formojnë Berat Gjimshiti dhe Enea Mihaj në qendër, Mario Mitaj e Elseid Hysaj nga krahët.
Kristjan Asllani, Ylber Ramadani dhe Nedim Bajrami do të formojnë treshen e mesfushës, me tetovarin më të avancuar në mbështetje të sulmit. Repart ku do të rikthehet Armando Broja nga minuta e parë, në majë, ndërsa nga krahët konfirmohen Jasir Asani dhe Taulant Seferi.